Çfarë po bëhet në shqipëri?

Aktivitete

Aktivitete

Trajnim online me të rinjtë e qytetit të Pogradecit “Angazhimi qytetar dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar”.

Gjatë këtij trajnimi u diskutua mbi angazhimin qytetar (veçanërisht të të rinjve) në qytetin e Pogradecit, si dhe u qartësuan në mënyrë të thjeshtë konceptet kryesore të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe faktorët ndikues.

Trajnimi u organizua në mënyrë interaktive ku vetë të rinjtë diskutuan edhe mbi strategjitë dhe mënyrat efektive në parandalimin e radikalizmit dhe gjithëpërfshirjen në komunitet.

Trajnim dy ditor i zhvilluar në qytetin e Bulqizës me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional të Këshillit Vendor të Sigurisë në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar”.

Trajnimin dy ditor i zhvilluar në qytetin e Pogradecit me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional të Këshillit Vendor të Sigurisë në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar”

Trajnimin dy ditor i zhvilluar në Bashkinë e Devollit me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional të Këshillit Vendor të Sigurisë në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar”.

Trajnimin dy ditor i zhvilluar në qytetin e Librazhdit me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional të Këshillit Vendor të Sigurisë në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar”.

Projekti i Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza riemërtohet Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri

Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri organizoi takime me gra dhe të rinj në qytetin e Bulqizës, ku u diskutua mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin fetar dhe u synua fuqizimi i këtyre dy grupeve për të përmirësuar angazhimin e tyre qytetar. 

Publikohet moduli trajnues për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve të shërbimeve sociale dhe shëndetësore mbi parandalimin dhe identifikimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar në komunitetet e tyre.

Zhvillohen takime me gra në qytetin e Elbasanit, ku diskutohet roli i tyre si pjesë kyçe dhe vendimmarrëse në komunitete për të garantuar qëndrueshmërinë dhe harmoninë si dhe për të parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri organizon takime informuese me besimtare fetare të zonave rurale në qytetin e Elbasanit. Takimet vendosën theksin në rëndësinë e rolit të grave besimtare në parandalimind he identifikimin e radikalizimit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm në komunitetet e tyre. Pjesëmarrësit së bashku me lehtësuesit e Qendrës, diskutuan gjithashtu për vështirësitë sociale dhe ekonomike që besimtarët hasin në Shqipqri dhe për mundësitë që Shqipëria ofron për zhvillimin pozitiv të komuniteteve.

Ekstremizëm i dhunshëm konsiderohet çdo aktivitet i dhunshëm ekstremist apo terrorist, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë cënon sigurinë e njerëzve në bazë të një kauze të caktuar, sipas tyre të drejtë apo të shenjtë. Kauza mund të jetë me karakter politik, fetar, sportiv-kulturor, etnik apo ekonomik. Ekstremizmi i dhunshëm është një koncept që ka një përhapje të gjerë si fenomen në të gjithë botën. Duke qenë se ekstremizmi i dhunshëm përbën një kërcënim kundrejt sigurisë ndërkombëtare, edhe në Shqipëri janë ndërmarrë masa në aspektin ligjor, përmes ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, me ratifikimin e Konventës Europiane për Parandalimin e Terrorizmit dhe miratimin e ligjit Nr.157 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” Tetor 2013 nga Kuvendi i Shqipërisë për të parandaluar me sukses përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm, përfshi fuqizimin e mëtejshëm të të rinjve, familjes, grave dhe grupeve vulnerabël. Strategjia e Sigurisë Kombëtare reflekton zhvillimin e politikave shtetërore për sigurinë duke përcaktuar terrorizmin si një rrezik të vërtet transkombëtar për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Strategjia Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm adreson fenomenin e qasjes ndaj parandalimit të faktorëve nxitës dhe shtytës dhe fuqizon kryerjen e veprimeve konkrete si: akte të dhunshme, aksesin në komunikime strategjike dhe shpërndarjen e propagandës ekstremiste duke përdorur internetin, si dhe ri-integrimin e qytetarëve që u janë bashkuar këtyre grupeve. Gjatë këtyre viteve të fundit radikalizmi dhe ekstremizmi është kthyer në element thelbësor në studimet, raportimeve e mediave apo organeve ligj-zbatuese. Për ndjekjen e kësaj çështjeje janë hartuar politika të ndryshme të cilat luftojnë kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Data të rëndësishme

2006
Ratifikohet Konventa e Këshillit të Evropës “Për parandalimin e terrorizmit”

Shqipëria ratifikon Konvenën e Këshillit të Evropës “Për parandalimin e terrorizmit”, e cila kishte për qëllim rritjen e efektivitetit të teksteve ekzistuese ndërkombëtare mbi luftën kundër terrorizmit. Konventa synon të forcojë përpjekjet e vendeve anëtare për të parandaluar terrorizmin përmes dy mënyrave: i)duke specifikuar si vepra penale akte të caktuara që mund të çojnë në kryerjen e veprave terroriste (si provokimi publik, rekrutimi, trajnimet me përmbajtje ekstremiste etj.) dhe ii)duke përforëcuar rëndësinë e bashkëpunimit mes palëve për parandalimin e terrorizmit, si në aspektin e brendshëm të çdo shteti ashtu edhe në atë ndërkombëta

2007
Ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal

Ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal me qëllim adresimin e çēshtjes së terrorizmit.

2012
Disa ekstremistë shqiptarë filluan të largohen drejt Sirisë e Irakut

Dy vite më pas, në 2014 numri i tyre arriti përafërsisht mbi 144 shtetas shqiptarë që iu bashkuan ISIS si luftëtarë të huaj.

2013
Miratohet ligji Nr.157 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”

Miratohet ligji Nr.157 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, i cili ka si qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të terroristëve dhe atyre që mbështesin dhe financojnë terrorizmin, apo të atyre, për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, po kryejnë ose kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla, nëpërmjet bllokimit, sekuestrimit të fondeve e pasurive të tyre, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

2014
U krijua Strategjia për Sigurinë Kombëtare

e cila kishte si vizion krijimin e një vendi të lirë, demokratik që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqënie edhe për brezat e ardhshëm. Strategjia ka si detyrë kushtetuese garantimin e sigurisë së vendit, forcimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të ruajtur vlerat e vendit dhe promovimin e tyre, si edhe ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit shqiptar.

U ngrit Drejtoria e Hetimit të Akteve Terroriste

Në kuadër të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, arrestimi I bujshëm i të dyshuarve si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri.

Ministria e Brendshme urdhëroi ngritjen e Drejtorisë së Hetimit të Akteve Terroriste

Kjo njësi në varësi të drejtpërdrejtë nga Drejtori i Policisë së Shtetit shtrihet në 12 Qarqet e vendit. Për shkak të rritjes së radikalizmit ndër radhët e shqiptarëve, Policia e Shtetit riktheu Drejtorinë e Antiterrorit si një strukturë të specializuar kundër çdo akti ekstremist dhe me pasoja të rënda.

2015
U krijua Strategjia Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm bashkë me planin e veprimit

Me anë të këtij dokumenti strategjik, qeveria shqiptare angazhohet në thellimin e masave për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, duke përfshirë dhe bashkëpunuar jo vetëm me agjenci të specializuara ligjzbatuese apo me institucionet përgjegjëse shtetërore, por edhe me publikun e gjerë, organizatat e shoqërisë civile, të rinjtë, gratë, rrjetet fetare, kulturore dhe arsimore.

2016
Terrorizem

Nëntë shqiptarë dënohen për nxitjen e terrorizmit dhe rekrutimin e 70 shqiptarëve për t’iu bashkuar forcave të ISIS në Siri me 126 vjet burg.

Elbasani krijon Këshillin e parë Vendor të Sigurisë Publike në Shqipëri me ndihmën e prezencës së OSBE-së.

Synimi kryesor i Këshillit është të vërë në lëvizje të gjithë aktorët vendorë për të trajtuar së bashku çështjet që lidhen me kriminalitetin, dhunën në familje dhe ekstremizmin e dhunshëm. Po ashtu, ky grupim këshillimor, që kryesohet nga kryetari i bashkisë, do të shërbejë për të identifikuar sfidat e komunitetit vendor sa i takon sigurisë personale.

Kliko këtu për më shumë.

2017
U krijua Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri

si një qendër për koordinimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të aktorëve lokalë dhe praktikuesve të vijës së parë të përfshirë në përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri dhe rajon. Misioni i kësaj qendre është zhvillimi i kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në veprimet kundër ekstremizmit të dhunshëm, ruajtja dhe promovimi i vlerave të tolerancës dhe të harmonisë fetare, mbrojtja e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, si dhe mbrojtja e shoqërisë shqiptare nga ekstremizmi i dhunshëm.

2018
Me inisiativë të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza krijohet Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri

që synon të ofroj shërbim të gjerë këshillues, programe parandaluese, ndërhyrëse dhe rehabilituese kundër ekstremizmit të dhunshëm përfshirë ndërgjegjësimin në komunitet dhe kërkime dhe publikime.

Legjislacioni

Qeveria Shqiptare nga viti në vit ka qenë e fokusuar në përmirësimet ligjore për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Këtu janë listuar ligjet që kanë pësuar ndryshime, ligjet e reja të hartuara për këtë qëllim si dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria:

Ligji nr. 7895, datë 27.01.1995

“Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”

Ligji nr. 7905, datë 21.03.1995

“Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”

Ligji nr. 9918, datë 19.05.2008

“Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas Ligjit nr. 102/2012

Ligji nr. 9887, datë 10.03.2010

“Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, sipas Ligjit nr. 48/2012 dhe Ligjit nr. 120/2014

Ligji nr. 10325, datë 23.09.2010

“Për Bazat e të Dhënave Shtetërore”

Ligji nr. 72, datë 28.06.2012

“Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapsinor në Republikën e Shqipërisë”

Ligji nr. 72, datë 28.06.2012

“Për sigurinë kibernetike”

Pyetjet më të shpeshta

FAQ

Termat e lidhura me terrorizmin, ku përfshihen edhe ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi, janë komplekse dhe kontroversiale për shkak të implikimeve politike që ato mbartin. Ish Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon e nënvizon këtë vështirësi në Planin e Veprimit për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm (2015), ku deklarohet se ekstremizmi i dhunshëm (njësoj si terrorizmi) është një

“fenomen i larmishëm, pa një përkufizim të qartë”. Një përkufizim për terrorizmin i paraqitur rishtazi nga Direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit për luftën kundër terrorizmit thotë se terrorizmi është:

“sulme kundër jetës së një personi, si veprime të qëllimshme që mund të kualifikohen si shkelje terroriste kur dhe për sa kohë ato ndërmerren me një qëllim terrorist, specifikisht për të frikësuar seriozisht një popullatë, për të detyruar një qeveri ose një organizatë ndërkombëtare të kryejë ose të mos kryejë akte të caktuara, ose për të destablizuar ose shkatërruar themelet politike, kushtetuese, ekonomike, ose strukturat sociale të një vendi ose një organizate ndërkombëtare”.

Ekstremizmi përkufizohet gjerësisht si “aktivitete (besime, sjellje, ndjenja, veprime, strategji) të një karakteri shumë larg normales. Edhe pse ky është një term shumë relativ, është pranuar gjerësisht se jo çdo pikëpamje ekstremiste është domosdoshmërisht e jashtëligjshme dhe nuk sjell automatikisht dhunë. Në fakt, ata individë të cilët kanë pikëpamje ose edhe praktika ekstremiste, të cilat nuk kanë asnjë impakt në liritë civile të qytetarëve të tjerë, mbrohen nga të drejtat themelore të njeriut.

Ekstremizmi nis të bëhet shqetësues atëherë kur këto pikëpamje kërcënojnë parimet demokratike të shtetit të së drejtës dhe grupime të caktuara promovojnë përdorimin e dhunës për të arritur objektivat e tyre ose për të nxitur ndjekësit e tyre. Kjo formë e ekstremizmit është ajo çka ne quajmë “ekstremizëm i dhunshëm”.

Njësoj si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, edhe radikalizimi është një term i diskutueshëm me shumë përkufizime që variojnë. Sidoqoftë, një përkufizim gjerësisht i pranuar thotë se radikalizimi është procesi social dhe psikologjik i angazhimit në rritje me ideologjitë e ekstremizmit të dhunshëm. Kjo zakonisht shfaqet në mënyra jo lineare dhe fluide. Nuk është e thënë se personat e ndikuar nga radikalizimi do të bëhen domosdoshmërisht të dhunshëm. Shpesh, radikalizimi përshkruan procesin përmes të cilit besimet e një individi orientohen drejt kërkimit të një ndryshimi drastik në shoqëri. Kjo nuk është e njëjta gjë me terrorizmin, por sidoqoftë, kur dikush beson se frika, terrori dhe dhuna janë të justifikueshme për të arritur një qëllim ideologjik, politik ose një ndryshim social, radikalizimi kthehet në ekstremizëm të dhunshëm.

Nuk ekziston një përkufizim i pranuar universalisht për termin “ekstremizëm i dhunshëm”. Në fakt, ndonëse në një mënyrë disi konfuze, termat mund të përdoren ndonjëherë në mënyrë të ndërsjelltë. Megjithatë, ekziston një numër përkufizimesh që janë hartuar në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Një aspekt që shtetet dhe komentuesit e kanë thjeshtuar shpesh është nocioni i “radikalizimit” – një koncept që ka tërhequr shumë vëmendje (dhe polemika të ndryshme) – ku përfshihen dhe disa aspekte që kanë lidhje me ligjërimin dhe përpjekjet për parandalimin e terrorizmit. Raporti i UNHCHR vëren se:

“Nocioni i “radikalizmit” përdoret përgjithësisht [nga disa shtete] për të përcjellë idenë e një procesi me anë të të cilit një individ përqafon një sërë besimesh dhe aspiratash gjithmonë e më shumë ekstremiste.

Disa ekspertë kanë sugjeruar se “radikalizimi” mund të kuptohet si procesi me anë të të cilit individët përqafojnë ideologji ekstremiste të dhunshme që mund t’i shtyjnë të kryejnë akte terroriste apo që mund t’i bëjnë më të rrezikuar ndaj rekrutimeve nga organizatat terroriste (Romaniuk, 2015, f. 7-8).

Përhapja e ekstremizmit të dhunshëm është një temë mjaft shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar. Për shembull, rreth 30 000 luftëtarë terroristë të huaj, të ardhur nga 100 shtete, kanë zgjedhur të shkojnë në destinacione si Siria, Iraku, Afganistani, Libia dhe Jemeni për t’u bashkuar me grupet terroriste të angazhuara në konfliktet e këtyre vendeve. Në një pikë të caktuar, një numër i konsiderueshëm i këtyre luftëtarëve kthehen në vendet e tyre të origjinës ose shkojnë në zona të tjera konflikti potencial – duke sjellë dhe njohuritë taktike dhe pikëpamjet ideologjike qe kanë fituar (raport i Asamblesë së Përgjithshme A/70/674, paragrafi 3).

Krahasuar me vendet e tjera të Europës, vendi ynë nuk mendohet të kërcënohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga aktet terroriste, megjithatë kjo nuk do të thotë se mundësia e përhapjes së ekstremizmit në Shqipëri përjashtohet.

Në kampin “Al Hol” në Siri që kontrollohet nga forcat ushtarake kurde, jetojnë rreth 50 shtetas shqiptarë, kryesisht fëmijë dhe gra, që janë kapur gjatë luftimeve mes forcave kurde dhe dy organizatave terroriste ISIS dhe Al-Nustra që vepronin në Siri dhe Irak. Të gjithë shqiptarët që mbahen të izoluar në këtë kamp, kanë shkuar në Siri, për shkak se bashkëshortët dhe baballarët e fëmijëve, kanë qenë rekrutë të dy organizatave terroriste të lartpërmendura. Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 % e njerëzve në kamp, janë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Rreth 27 % e totalit janë gra. Në një studimi të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (2018), theksohet se Shqipëria ofron mundësi për ideologjitë ekstremiste dhe kushte që grupet e ekstremizmit të dhunshëm të depërtojnë tek komunitetet lokale për të rekrutuar pasues, sidomos në zonat e pazhvilluara dhe periferitë e qendrave urbane me shumë banorë. Po ashtu të dhënat e mbledhura nga një studim i kryer nga Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri në vitin 2020 në katër bashki në vend (Bulqizë, Devoll, Librazhd, Pogradec) tregojnë se varfëria, korrupsioni dhe mundësitë e pakta të punësimit perceptohen si problematikat më kryesore në këto bashki dhe që kanë ndikim në nxitjen e individëve për t’u bërë pjesë e grupeve ekstremiste.

Edukimi dhe institucionet arsimore kanë një rol tepër të rëndësishëm në mirëinformimin e të rinjve dhe parandalimin e përfshirjes së tyre në grupe ekstremiste. Nga raportet dhe vlerësimet e bëra deri më tani, zonat ku është më i përhapur fenomeni i ekstremizmit janë zonat në periferi të

qyteteve si Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Durrësi, Tirana, etj. ku edhe mundësitë ekonomike dhe mundësitë për punësim e edukim janë më të pakta. Aktorë të shoqërisë civile luajnë gjithashtu një rol me shumë rëndësi në ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me këtë fenomen dhe krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Të njëjtin ndikim ka edhe media përmes mesazheve sensibilizuese që transmeton dhe informacionit që përcjell vazhdimisht. Ndikim shumë të lartë dhe rol kyç në këtë drejtim kanë veçanërisht përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe këshilli vendor i sigurisë publike, të cilët mund të identifikojnë që herët rastet të cilat mund të paraqesin rrezik për t’u përfshirë në grupe ekstremiste dhe të punojnë duke përdorur mekanizmat e referimit dhe programet e trajtimit. Bashkëpunimi mes strukturave dhe funksionimi i sistemit të referimit është element thelbësor në parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Të folurit me fëmijën për ekstremizmin e dhunshëm mund të jetë tepër i vështirë, por është e domosdoshme që t’i informojmë fëmijët tanë për atë çka ndodh në komunitet/botë dhe përreth tyre. Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë dhe dixhitalizimi i botës kanë bërë që edhe fëmijët dhe të rinjtë përveçse offline të kenë mundësinë të aksesojnë informacione të shumëllojshme online. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme t’i ndërgjegjësojmë ata për rrezikun e materialeve të ndryshme që mund të gjejnë. Në mënyrë që ta kemi të sigurt fëmijën tonë ne duket të jemi të parët që jemi të hapur për bashkëbiseduar me ta dhe për t’i nxitur të mendojnë në mënyrë kritike. Duke u treguar ne të sinqertë me fëmijën do ta nxisim që dhe ai të veproj në të njëjtën mënyrë kundrejt nesh.Nuk duhet të harrojmë se familja ka një rol kryesor në edukim dhe si pasojë edhe në pregatitjen e fëmijës apo adoleshentit me mënyrën se si përballet ndaj qasjeve të ndryshme radikale ose jo. Adoleshentët duke qenë në kërkim të idenititetit të tyre dhe gjithmonë në eksplorim të aventurave të reja, mund të bien edhe më lehtë pre e grupeve ekstremiste. Ne duhet të përpiqemi t’i ndihmojmë ata të kuptojnë pasojat e ekstremizmit duke diskutuar dhe duke i dëgjuar mendimet e tyre. Gjithashtu ne mund t’i ndihmojmë duke u përpjekur që t’i angazhojmë sa më shumë në aktivitete vullnetare dhe pozitive në komunitet. Mënyra se si edukojmë do të na japë efekte shumë shpejt.

Radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë fenomene të cilat nuk mund të luftohen nga një individ i vetëm apo edhe nga një strukturë e veçuar. Lufta kundër ekstremizmit kërkon një bashkëpunim të mirë dhe struktura të organizuara. Ndaj, nëse mendoni se dikush i afërt mund të jetë në proces radikalizimi mos nguroni të kërkoni ndihmën e profesionistëve dhe të flisni me persona të tjerë të besuar.

Ne jemi në dispozicionin tuaj në ofrimin e këtij shërbimi duke respektuar maksimalisht privatësinë dhe duke ruajtur konfidencialitetin tuaj. Ndaj mos hezitoni të na telefononi në numrin 0800 4545 ose të na kontaktoni online për mbështetje profesionale.